
Koblenci është ndërtuar rreth Fatmir Vatës. Ky është lajmi që mbërrin nga klubi i Bundesligës 2 gjermane, ku militon ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare.
Rikthimi i tij pas një dëmtimi të gjatë ka inspiruar ekipin e Koblencit, i cili, me katër fitore në seri, ka mundur të largohet nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria. Tashmë entuziazmi në ekip është rritur dhe kjo nuk është rastësi. Sipas mediave gjermane, njeriu që ka influencuar në ndryshimin e situatës është shqiptari Fatmir Vata. Të gjithë shprehin habi për këtë ndryshim të madh në ekip.
Depresioni që ekzistonte para rreth një muaji është zëvendësuar me humorin e tanishëm. Merita është e trajnerit Uve Rapolder, i cili i ka dhënë Vatës rolin e lojtarit kyç. “Kemi bërë surprizën”, përpiqet të shpjegojë transformimin veterani Vata, i cili, një muaj më parë, ishte vetëm një dëshirë.
“Gjithnjë e dinim se kishim një skuadër të mirë”, nënvizon shqiptari, i cili, për nga mosha, duket si vëllai i trajnerit. Vata tani ka marrë rolin e lojtarit kyç në sistemin e lojës së ideuar nga tekniku Rapolder. Trajneri ndihet i kënaqur, “që më në fund ka gjetur mënyrën për një funksionim të admirueshëm të skuadrës në manovrën sulmuese”. 50-vjeçari Rapolder pohon se tani ata “po vjelin punën e bërë në dy sezonet e fundit. Skuadra funksionon shumë mirë edhe taktikisht, por ashtu edhe mbrojtja ka demonstruar një formë të mirë”. Rritja e besimit te vetja po e ndihmon skuadrën të bëjë një ecuri të mirë në pjesën e dytë të sezonit.
Top Channel