Sidni Hoxha, ofertë nga Italia

12/03/2009 10:00

Sidni Hoxha, notari i talentuar shqiptar, i cili po korr rezultatet premtuese edhe në arenën ndërkombëtare, është bërë objekt dëshirash për fqinjin tonë përtej Adriatikut, Italisë.

Lajmi është bërë i njohur dje nga burime të besueshme pranë notarit në Mitingun Ndërkombëtar të Notit në Berlin, ku Sidni ka arritur të marrë edhe një medalje të argjendtë.

Lajmi për ofertën italiane të Sidnit nuk është ndonjë surprizë, pasi sikurse është mësuar, kjo ofertë i është bërë prej kohësh, por e reja qëndron në faktin se fqinjët tanë nuk kanë hequr dorë ende, madje tashmë janë bërë më insistues.

Sipas burimit në fjalë, “përfaqësues të Federatës Italiane të Notit e kanë kontaktuar sërish lojtarin në Mitingun Ndërkombëtar të Berlinit, të zhvilluar nga data 6-8 mars 2009. Ata i kanë përsëritur ofertën e bërë pak kohë më parë, duke i kërkuar edhe një përgjigje të shpejtë”.

Një ndikim në nxitimin e veprimeve të italianëve kanë pasur rezultatet e mira të notarit të ri shqiptar në këtë eveniment, ku Sidni mundi të fitonte një medalje argjendi dhe theu një rekord kombëtar. Rekordin e ri kombëtar Sidni e regjistroi në disiplinën 50 metrave stil flutur (delfin), ku e ndali kronometrin në kohën 26”70.

Ndërsa medalja e argjendit erdhi pikërisht në 50 metrat stil i lirë, ku regjistroi kohën 24”19, duke dalë i treti në grupmoshën e tij, por duke mbetur 57 të qindtat larg rekordit kombëtar, që e mban vetë, me 23”62 (të vendosur në Herceg Novi të Malit të Zi në fillim të këtij viti).

Sikurse është mësuar dje, edhe vetë motari është në dilemë për të ardhmen e tij. Për momentin, Sidni dhe trajneri i tij, Shpëtim Hoxha, i cili është edhe i ati, nuk e ndjejnë aspak mbështetjen e shtetit shqiptar, i cili nuk po investon për këtë talent të notit. Megjithatë, ende nuk është vendosur asgjë, por ditët e ardhshme priten të rezultojnë vendimtare për të ardhmen e sportistit, i cili për momentin gjendet mes dy zgjedhjeve: Shqipërisë apo Italisë.

Top Channel