FSHF, vazhdon “dora e hekurt” ndaj dhunës

12/03/2009 10:45

Dora e hekurt e FSHF-së ndaj dhunës në fushat e futbollit vazhdon edhe këtë javë në kategoritë inferiore.

Pas incidenteve të rënda në ndeshjet Tërbuni-Kastrioti dhe Butrinti-Memaliaj, që u pasuan me pezullime dyvjeçare të dy skuadrave pritëse, por edhe me ndëshkime të rënda ndaj futbollistëve sarandjotë të përfshirë në sherret me kundërshtarë, tashmë shembull është bërë skuadra e Poliçanit në Kategorinë e Dytë.

Ky klub është dënuar me 3 ndeshje në fushë asnjanëse, si dhe është gjobitur me 1 milion lekë të vjetra për shkak të hedhjes së sendeve të forta, si pasojë të të cilave është dëmtuar një lojtar kundërshtar. Kjo gjë i ka kushtuar edhe më shtrenjtë Poliçanit, pasi është vendosur edhe në një tjetër penalizim: humbja në tavolinë 2-0.

Një dënim të rëndë, 3 vjet pezullim nga aktiviteti dhe 2 milionë lekë gjobë ka marrë edhe lojtari i kësaj skuadre, Denis Baxhaku, i cili kishte goditur qëllimisht kundërshtarin, duke i shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin.

Top Channel