
Skerdilajd Curri po kalon një periudhë shumë të mirë në radhët e skuadrës së tij Erzgebirge Aue. Sulmuesi kavajas, i cili militon që nga sezoni 2003 në radhët e këtij ekipi, ka qenë protagonisti i padiskutueshëm në fitoren e thellë të së mërkurës, 5-0 kundër Carl Zeiss Jena, e vlefshme për Bundesligën III gjermane.
Në minutën e 32, shqiptari depërtoi bukur në zonë dhe mundi të merrte një 11-metërsh, pas një ndërhyrjeje të parregullt në dëm të tij. Po ashtu, në minutën e 69, ai dha një asist për golin e Heinsel, ndërsa në minutën e 89, la edhe firmën e tij me golin e 4-0. Në fund të ndeshjes, ka folur edhe trajneri i Aues, Riko Shmit. “Jemi shumë të kënaqur, theksoi tekniku. Ishte një ditë e madhe edhe për Skerdilajd Currin.
Ai bërë një paraqitje të mirë në këtë ndeshje. Në fillim dribloi kundërshtarët dhe arriti të fitonte një 11-metërsh. Më pas, ishte edhe njeriu-asist i njërit prej golave, por i vuri kapakun, duke shënuar edhe një gol vetë.
Ishte promotori i kësaj fitoreje, e cila na jep shumë shpresë se do të mund të shmangim rënien nga Kategoria”. 34-vjeçari kavajas vazhdon të jetë një nga lojtarët kryesorë të Erzgebirge Aue.
Top Channel