
Ndihma financiare për Partizanin do të startojë në gjimnazet e Tiranës dhe nëse projekti jep rezultatet e dëshiruara, atëherë ai do të shtrihet në të gjithë vendin.
Tifozët e kuq kanë hedhur hapin e parë konkret për të nxjerrë klubin nga kriza. Grupimet e ndryshme të tifozëve do të nisin sot fushatën “Shpëtoni Partizanin” në shkollat kryesore të mesme në kryeqytet.
Aty do të vendosen kuti për grumbullimin e fondeve, ndërkohë që të ardhurat do të grumbullohen në një llogari bankare, për t’ua shpërndarë më pas futbollistëve, të cilët pranuan të qëndrojnë me ekipin, edhe pse nuk janë paguar. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë mbështetësve të “demave”.
“Nesër (sot) në gjimnazet kryesore të Tiranës do të vendosen kuti për dhurim fondesh në favor të futbollistëve të Partizanit. Kjo është një mënyrë e përdorur për donacione bamirëse dhe të ardhurat do të shkojnë në favor të lojtarëve, të cilët u betuan për besnikëri ndaj klubit, pavarësisht se ende nuk janë paguar”, pohuan burimet. “Nëse fushata ecën mirë, atëherë kjo metodë do të shtrihet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Partizani është klubi që ka më shumë tifozë në vend dhe të gjithë mund të kontribuojnë për shpëtimin e skuadrës, duke dhuruar shifra simbolike të hollash”.
Plani i tifozëve është që së afërmi të hapet edhe një llogari bankare, ku përveç derdhjes së shumës së grumbulluar, kauzës mund t’i shtohen edhe të gjithë tifozët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Një grupim i mbështetësve të skuadrës do të kontaktojë me sportistët, në mënyrë që veprimet bankare të bëhen në prezencë të një lojtari.
“Kemi ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm dhe mund të themi se po ecim në rrugën e duhur. Hapja e llogarisë bankare do të bëhet në prezencë të një përfaqësie tifozësh dhe një lojtari të skuadrës. Në këtë mënyrë nuk do të ketë shpërdorime fondesh dhe lekët do të shkojnë 100 për qind në xhepat e futbollistëve”, sqaruan më tej burimet. Nga tifozët mësohet se presidenti Albert Xhani ka kërkuar edhe takim me tifozët, me ndihmën e të cilëve shpreson të nxjerrë skuadrën nga kriza e rëndë financiare.
Top Channel