Bogdani-Lacio, kushtet e sulmuesit prishin akordin

24/01/2009 10:15

Bie edhe pista Lacio për Erjon Bogdanin. Shkak janë bërë kushtet që sulmuesi i Kombëtares pretendonte për transferimin në kryeqytetin italian.

Edhe pse ishte menduar që 31-vjeçari të kalonte te bardhekaltërit si pjesë e shkëmbimit me Makinuan e Inzagin, të cilët do të luanin me Kievon për gjashtë muajt e ardhshëm, marrëveshja nuk u realizua.

Bogdani kërkonte që te Lacio t’i siguronin rrogë të njëjtë me atë që përfiton në Verona dhe t’i garantoheshin hapësira aktivizimi nga trajneri Delio Rosi.

“Nëse Lazio pranon kushtet që kam kërkuar, atëherë mund të transferohem atje. Së pari, pretendoj që paga ime të mos jetë më e ulët sesa te Kievo dhe po ashtu kërkoj garanci se do të kem hapësira për t’u aktivizuar, madje edhe në ndeshjet e mëdha”, ishin fjalët e sulmuesi kuqezi.

Megjithatë, kërkesat ishin të pamundura të realizoheshin: për çështjen e rrogës, klubi lacial ndjek një politikë me pak shpenzime, ndërsa aktivizimi i shpeshtë i Bogdanit do të ishte i pamundur, pasi në repartin ofensiv luajnë Roki, Pandev dhe Zarate.

Kjo është arsyeja se përse klubi bardhekaltër hoqi dorë nga Bogdani dhe vendosi të blinte argjentinasin Gaston Andres Havier Çelerino. Tekniku Rosi kërkonte me ngulm afrimin e një sulmuesi me peshë, i cili të ishte dominues në lojën ajrore. Pasi ka parë, së bashku me menaxherin e skuadrës, Igli Tare, “dvd”-të e ndeshjeve ku është aktivizuar 22-vjeçari, drejtuesi i stolit u bind për kualitetet e tij.

Për Çelerino, Lacio do të paguajë afro 2.5 milionë euro. Duket u kthyer te Bogdani, pas rënies së opsioneve Roma e Lacio, për sulmuesin vazhdojnë të interesohen edhe shumë ekipe të tjera. Bolonja, Rexhina e Palermo në Serinë A, Salernitana e Leçe në “B”, Padova në Ligën Pro (Seria C1) dhe francezët e Grenobël.

Por “Er-Bomber” thekson: “Kievon nuk do ta ndërroja me asnjë ekip tjetër, të nivelit mesatar në Itali dhe aq më tepër me ekip të Serisë B. Luaj në këtë kampionat prej tetë vjetësh dhe ndoshta ka ardhur koha për të provuar veten në një skuadër të madhe italiane”.

Top Channel