Muzikali “Flokët” i përshtatet epokës së Trump

11/10/2017 00:00

Muzikali “Flokët” i përshtatet epokës së Trumpit. Një prodhim i veçantë i muzikalit rok të viteve ’60 do të shfaqet premierë në Londër këtë javë, për të shënuar 50-vjetorin e shfaqjes së suksesshme të kthyer edhe në film.

Versioni i ri përfshin dialogje e tekste këngësh të shkruara nga James Rado, bashkautor i shfaqjes origjinale, të cilat i përshtaten situatës aktuale politike.

Personazhet këndojnë për ta bërë Amerikën më të fuqishme, një referencë kjo ndaj sloganit të fushatës zgjedhore të Donald Trumpit, “Ta bëjmë Amerikën të fuqishme sërish”.

“Mendoj se James Rado ka dashur të përcjellë mesazhin se Amerika dhe shtetet perëndimore, përfshirë Britaninë, nuk kanë bërë përpara aq shpejt sa ne shpresonim”, tha Jonathan O’Boyle, regjisor.

“Flokët” tregon historinë e një grupi hipistësh në Nju Jork, që luftojnë kundër rekrutimit në luftën e Vietnamit në vitet ’60. Kur u shfaq fillimisht, shfaqja nxiti polemika të ashpra për shkak të lakuriqësisë, përshkrimit liberal për përdorimin e drogës dhe trajtimit të papërshtatshëm të flamurit amerikan, që u shfaq me kokë poshtë dhe i vendosur në tokë.

Pavarësisht ndryshimeve sociale dhe politike që prej krijimit të saj, temat e e racizmit, frikës e luftës bërthamore tregojnë se shfaqja vazhdon të jetë aktuale.

Top Channel