Muzeu “pushtohet” nga “Zombie”

11/10/2017 00:00

Kostume dhe objekte skenike të programit televiziv “The Walking Dead” janë bërë pjesë e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Historisë amerikane, atij “Smithsonian”.

Shfaqja popullore në Shtetet e Bashkuara është transmetuar për 8 sezone rresht, e vazhdon të mbetet tejet e preferuar nga publiku.

Ngjarjet e tij zhvillohen në një shoqëri post-apokaliptike të mbushur me zombi. Këta të fundit ishin dikur njerëz normalë, por për shkak të një sëmundjeje, që po i infekton të gjithë në përmasa epike, shndërrohen në të vdekur të gjallë.

Përballë tyre gjenden nga ana tjetër një grup të mbijetuarish, që ndonjëherë janë më të rrezikshëm edhe se zombit vet.

Muzeu “Smithsonian” arriti të siguronte disa objekte ikonë të shfaqjes, të cilat do të bëhen pjesë e koleksioneve kombëtare. Arsyeja përse drejtuesit e tij kanë këmbëngulur të sigurojnë kostume dhe sende nga seriali horror, nuk i detyrohet vetëm suksesit të tij të madh, por edhe faktit që ndihmon në përshkrimin e asaj që konsiderohet si “eksperiencë amerikane.

Ndonëse u bë publik fakti që do të ketë një ekspozitë të posaçme mbi këtë temë, nuk është dhënë ende një datë se kur vizitorët do të kenë mundësinë t’i shikojnë nga afër veshjet e zombive të “The Walking Dead”.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel