Të apasionuarit e periudhës së Mesjetës patën rastin ta përjetojnë atë në festivalin e përvitshëm të organizuar mbi këtë temë në Serbi. Entuziastë nga 17 vende të ndryshme u mblodhën në Despotovac për dyluftime me shpata e përballje kalorsiake, për fushime si të kohës, por edhe për të kënduar e ngrenë së bashku.

“Më duket pak si ‘Game of Thrones’, ose si ato serialet televizive me viking. Njerëzit janë shumë të interesuar për historinë dhe aventurën”, tha Heinrich Nilsen, nga Danimarka.

“Ne po përpiqemi t’u tregojmë njerëzve sesi jetohej në shekullin e XIV. Jemi duke rikrijuar praktikisht Transilvaninë e asaj kohe. Prandaj po imitojmë mënyrën e tyre të gatimit, veshjet, mënyrën sesi kërcenin, e sigurisht sesi përballeshin në betejë”, tha Anna, nga Rumania.

“Ideja jonë praktikisht është t’i japim një rol gjithsecilit këtu. Duam gjithashtu që njerëzit të mësojnë historinë, të dinë ndryshimin midis armaturës së vërtetë dhe asaj që shohin nëpër filma, sepse armaturat që kemi me vete janë historike. Janë burim i atyre çfarë kemi gjetur në shkrimet e vjetra dhe piktura”, tha Jonathan Channen, nga Franca.

Megjithatë, kampingu i ngritur në kuadër të festivalit nuk është mesjetar. Ai ka tualete, ujë të rrjedhshëm, dushe dhe energji elektrike. Festivali zhvillohet në Manastirin e vjetër të Manasijas, gati një orë e gjysmë larg Beogradit.

Programi përfshin edhe performancat e qindra kalorësve, kërcimtarëve, harketarëve të stilit të Mesjetës, si dhe ekspozita objektesh të vjetra zejtarie. Organizatorët thonë se, qëllimi i tyre është përveç të tjerash, që t’u ofrohet një eksperiencë unike fëmijëve të fokusuar në pjesën më të madhe të ditës te telefonat celularë, për t’u treguar se ka plot gjëra të tjera interesante atje jashtë.

Top Channel