Shtrirja e ndikimit rus, radikalizimi dhe keqqeverisja janë kërcënimet kryesore ndaj qëndrueshmërisë në Ballkan, sipas ekspertëve në një diskutim në Qendrën “Woodrow Wilson” në Uashington.

Plot 26 vite pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i kërcënuar, tani nga përpjekjet ruse për të minuar përpjekjet e vendeve të rajonit për t’u integruar në strukturat euro-atlantike, si dhe përhapja e ekstremizmit fetar të nxitur nga qytetarët që po kthehen nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Ross Johnson, John R. Lampe dhe Daniel Serwer mendojnë se përgjigjja më e mirë ndaj këtyre kërcënimeve është vazhdimi i përpjekjeve të këtyre vendeve për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Mungesa e një perspektive afatshkurtër të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Europian i ka bërë ato më të pambrojtura nga kërcënimet e jashtme.

Daniel Serwer ndan bindjen se, një nga kërcënimet kryesore me të cilat po përballen vendet e Ballkanit tani është vendosmëria e Rusisë për të bllokuar anëtarësimin e tyre në BE dhe NATO. Ndërsa Ross Johnson, nga Instituti “Hoover”, i cituar nga “Zëri i Amerikës” arsyeton se, Moska po sheh interesat e saj në rajon, por përpjekjet ruse sipas tij nuk do të shkaktojnë konflikte në një të ardhme të afërt.

“Nuk mendoj se jemi në prag të shpërthimit të një lufte. Federata Ruse po ndjek interesat e saj në rajon, por nuk është në prag të përfshirjes së rajonit në një sferë të begatisë ruse”, thotë eksperti. Analistët ishin të njëzëshëm në pohimet se, vetëm procesi i integrimit në strukturat euro-atlantike mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të tejkalojnë këto kërcënime, e jo kthimi nga Rusia.

Top Channel