Plani britanik pas “Brexit”, Merkel: Një fillim i mirë

23/06/2017 00:00

Duke përshëndetur kompromisin për qytetarët europianë, Merkel u tregua e kujdesshme të sqaronte se ka ende shumë pyetje mbi “Brexit” që presin përgjigje.

“Ky është një fillim i mbarë, por dy vite negociatash që na presin përpara do të përfshijnë edhe mjaft çështje të tjera. Më të rëndësishmet e tyre janë paratë që Britania duhet të shlyejë për largimin dhe situata kufitare me Irlandën, gjë që nënkupton se mbetet ende shumë punë për të bërë”, tha Merkel.

Kancelarja këmbënguli sidoqoftë se, shkëputja e Britanisë nga BE-ja nuk ishte fokusi i samitit të Brukselit dhe se negociatat për të janë duke u zhvilluar veçmas.

Theresa May parashtroi në Bruksel planin e hartuar për qytetarët e BE-së, i cili i duket një fillim i mirë Kancelares gjermane Angela Merkel.

Shtetasve nga vendet e bllokut, që kanë jetuar për 5 vite në Mbretërinë e Bashkuar, do t’iu ofrohet një status i veçantë, i cili i lejon ata të qëndrojnë e të kenë qasje në shërbimet shëndetësore, ato arsimore, e të përfitojnë edhe shërbime të tjera.

Plani i May prek 3.2 milionë qytetarë europianë që jetojne aktualisht në Britani. Të drejtat e tyre dhe ato të britanikëve të zhvendosur në pjesë të tjera të Bashkimit Europian përbënin një prej çështjeve më delikate e të vështira të negociatave të “Brexit”, krahas faturës së lartë të “divorcit” të Londres dhe kufirit me Irlandën e Veriut.

Në takimin e nivelit të lartë, udhëheqësit e Bashkimit Europian gjetën gjuhën e përbashkët mbi masat e antiterrorit, që kanë përbërë temën qëndrore të ditës së parë të samitit të krerëve të shteteve të 27 vendeve anëtare të bllokut.

Top Channel