Biznesi kërkon ministri

13/06/2017 00:00

Dy javë para zgjedhjeve, 12 shoqata që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dolën edhe ato me një platformë të tyren ekonomike, që do t’ja paraqesin partive politike.

Luan Bregasi i “Bussines Albania” thotë se programet ekonomike të paraqitura deri më tani nga partitë janë përtej realitetit dhe kërkon të dëgjohet zëri i biznesit.  

“Duke parë këto lloj premtimesh, që janë liruar pak më shumë sesa mban ekonomia jonë, do të dëshironim që kjo platformë të bëhet së bashku me ne sipërmarrësit që e dimë më mirë se ku çalon ekonomia jonë”, deklaroi kreu i “Business Albania”, Luan Bregasi.

Biznesi kërkon rishikimin e disa taksave.

“Uljes së moderuar e nivelit të TVSH-së dhe përshkallëzimi në zbritje për sektorë specifikë, rishikimi i taksave vendore për industritë prodhuese, janë shumë të larta taksat vendore”, u shpreh Bregasi.
 
Shtylla të tjera janë zhvillimi i arsimit profesional, ulja e kostove për fermerët. Kurse në turizëm sipërmarrësit kërkuan që ulja e TVSH-së të nisë të implementohet sa më shpejt.

“Duhet të përgatiten aktet nënligjore, sepse në datën 6 qershor duhet të hynte në fuqi ky ligj dhe për shkak të ministrave teknikë, kjo gjë nuk po bëhet akoma”, thotë ai.
Por kërkesa më e guximshme e shoqatave duket se është ndarja e Ministrisë së Tregtisë dhe Sipëmarrjes si ministri më vete në kompozimin e ardhshëm qeveritar, ndërsa kreu i saj të propozohet dhe shkarkohet nga vetë biznesi.

“Jo edhe e kësaj, edhe asaj, gjashtë emra pas sipërmarrjes. Forumi është i gatshëm të kontribuojë në përzgjedhjen dhe t’i sigurojë Kryeministrit të ardhshëm tre kandidatura më të përshtatshme ndër individët më të spikatur në fushën e sipërmarrjes”, shtoi Luan Bregasi. 

Top Channel