Maqedonia, me emër të ri? Do të dëgjohen propozimet e Greqisë

12/06/2017 00:00

Maqedonia do të marrë në konsideratë propozimet e reja mbi emrin e saj, në përpjekje për t’i dhënë fund kundërshtisë greke, që po i bllokon anëtarësimin në NATO.

Ministri i Jashtëm, Nikola Dimitrov konsideron se është ende shpejt për të diskutuar mbi ndonjë ofertë specifike, por të mërkurën do të takohet me ministrat grekë për të rikthyer, siç thotë, besimin mes dy vendeve fqinje, edhe pse Athina i vuri veton aplikimit të Shkupit në vitin 2008.

“Do t’i pyes se çfarë lloj fqinji dëshirojnë. A duan të kenë në krah të tyre një vend të stabilizuar e miqësor, që ofron shpresë për demokracinë e drejtësinë? Kjo sepse nëse jemi fqinjë të mirë, atëherë shpresoj që forcat politike greke ta kuptojnë se këtu bëhet fjalë për një rast historik”, ka thënë ai.

Grekët i tërbon ideja e përdorimit të një emri, i cili përfshin – sipas tyre, – edhe një pretendim territorial ndaj provincës veriore greke të quajtur gjithashtu Maqedoni.

Nikola Gruevski e thelloi edhe më shumë antagonizmin me Athinën, kur aeroporteve e autostradave vendase i vuri emrin e Aleksandrit të Madh, duke e riimagjinuar luftëtarin e famshëm grek të lashtësisë si heroin kombëtar të shtetit të tij.

Në intervistën e dhënë gazetës “Financial Times”, Dimitrov përmend si variant të emrit të ri “Maqedonia e Epërme”, i propozuar prej vitesh tashmë.

“Emri i zgjedhur me kompromis do të nxirret në referendum në Maqedoni, ndërsa paraprakisht për të do të kërkohet konsensusi i të gjitha partive politike”, citohet të ketë thënë ai.

Shefi i diplomacisë maqedonase ndodhet në Bruksel, së bashku me kryeministrin Zoran Zaev për takime me krerët më të lartë të BE-së dhe të NATO-s.

Top Channel