Veliaj: Më mirë 1 muaj fushatë se provimet e maturës

27/05/2017 00:00

“Bëj më mirë 1 muaj fushatë se sa të bëj provimin e maturës” është shprehur kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në festën e Maturës së disa gjimnazeve ku dhuroi librat e Dritëro Agollit.

“Me kujtohet viti kur unë mbarova maturën, ishte viti ’98, ishte një kohë shumë e largët, kështu që lali Eri nuk është aq i ri sa ç’duket, por di t’u them që ai ankthi i provimeve të maturës ishte aq i tmerrshëm saqë edhe sot po të më pyesë njeri, je gati të bësh edhe njëherë provime mature apo të bësh edhe 1 muaj fushatë? Më mirë zgjedh fushatën se tmerrin e provimeve të maturës. Por ju e paskeni marrë me shumë sportivitet dhe më vjen mirë që sot jeni këtu”, tha Veliaj.

Më tej, ai siguroi nxënësit që janë në prag të diplomimit se ky është vetëm njëri stacion drejt rrugës së arsimimit, përpara se ata të dalin në jetë dhe të kontribuojnë për familjen dhe vendin.

“Dua t’ju uroj sukses edhe për vendimet që do të merrni. Disa prej jush do të vazhdojnë studimet në universitet. Shpresoj të shkëlqeni siç keni shkëlqyer në gjimnazet e Tiranës me pasionin, talentin tuaj. Besoj se kur një njeri mbaron maturën nuk është vetëm një nxënës i mirë ose një nxënëse e mirë, është një qytetar i ri që i bashkohet qytetit, i cili do të votojë për herë të parë, do të marrë vendime mbi mënyrën si do të shkojë vendi ynë, do të shkojë në universitet etj”, u shpreh Veliaj.

Top Channel