Hetimi i Michael Flynn, Senati i kërkon të dorëzojë çdo dokument

11/05/2017 00:00

Paneli i Senatit, që po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i paraqiti një kërkesë tejet të rrallë ish-këshilltarit të Sigurisë, Michael Flynn, për të dorëzuar dokumentet mbi kontaktet e tij me zyrtarët e Moskës.

Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Donald Trumpit nuk ka bashkëpunuar deri tani vullnetarisht në këtë hetim, ndaj dhe gjendet sot përballë një kërkese zyrtare, e cila pasoi deklaratat e avokatit të tij mbrojtës, Robert Kelner, se nuk do ta bënte një veprim të tillë.

Flynn u detyrua të jepte dorëheqjen në muajin shkurt, pikërisht për shkak se nuk sqaroi përmbajtjen e bisedimeve të zhvilluara me diplomatët rusë. Pretendimi detyrues i Komisionit të Senatit vjen në kohën kur anëtarët e tij kanë ndërmarrë një qasje më agresive të hetimit të tyre, pas muaj të tërë verifikimesh, dhe vetëm dy ditë nga shkarkimi i kreut të FBI-së, James Comey, i cili kishte njoftuar drejtuesit e panelit të Inteligjencës se Byroja Federale e Hetimit po i intensifikon kontrollet e saj mbi çështjen.

Senatori republikan, James Lankford tha për “Fox News” se bëhet fjalë për një numër të madh dokumentesh, të cilat Flynn nuk ka pranuar t’i dorëzojë, por tani nuk bën dot ndryshe. Kërkesa të ngjashme i janë paraqitur edhe 3 ish-ndihmësve të tjerë të Trumpit: këshilltarit për Politikën e Jashtme gjatë fushatës, Carter Page; ish-drejtuesit të fushatës, Paul Manafort; si dhe ish-këshilltarit personal Roger Stone.

Për korrespondenten e BBC-së në Uashington, Laura Bicker, pretendimi i rrallë i senatorëve tregon qartë se Komiteti po avancon në hetimin e tij mbi lidhjet e supozuara të Trumpit me Rusinë.

Top Channel