SHBA, 3.000 trupa shtesë në Afganistan

09/04/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të dërgojnë trupa të tjerë në Afganistan. Krerët e ushtrisë amerikane dhe Departamenti i Shtetit rekomandojnë nisjen e të paktën 3.000 ushtarëve shtesë për të luftuar talebanët, e kërkohet po kështu rivendosja e autoritetit për të shënjestruar me sulme ajrore udhëheqësit e besnikëve të regjimit të përmbysur.

Presidenti Donald Trump nuk e ka aprovuar ende planin, i cili mund të përfshijë kërkesën që edhe vende të tjera të NATO-s të dërgojnë 3.000 deri në 5.000 trupa të tjerë në vendin e trazuar.

Aleanca e Atlantikut verior ka aktualisht 13 mijë trupa të stacionuara atje, 8.400 nga të cilët janë ushtarë amerikanë. Operacionet luftarake të Uashingtonit në Afganistan përfunduan zyrtarisht tetorin e vitit 2014, por njësi të forcave speciale qëndruan për t’iu ofruar trupave afgane mbështetjen e tyre.

Shkurtin e këtij viti, komandanti i forcave amerikane në Afganistan, gjenerali John Nicholson i tha një komiteti të Senatit se kishte mungesë ushtarësh në terren dhe se nevojiteshin mijëra të tillë për të kapërcyer ngërçin e krijuar.

Afganistani nuk ka hyrë ndonjëherë te prioritetet e Trumpit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e ka prekur shumë temën e luftës më të gjatë të Amerikës, e në ato pak raste kur ka zgjedhur të flasë për të, ka qenë kontradiktor.

Në të kaluarën, republikani e ka përshkruar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë vend si “katastrofë” e ka folur për tërheqje trupash, por presidentit afgan Ashraf Ghani i tha në fillim të dhjetorit se Uashingtoni nuk do të tërhiqet nga angazhimi i tij.

Vetëm dy ditë më parë, disa raporte në shtypin gjerman tregonin se amerikanët janë të shqetësuar nga njoftimet se Rusia po furnizon talebanët me armë. Ekspertët e kanë një shpjegim për këtë fenomen. Sipas tyre, që prej shfaqjes së ISIS-it në Afganistan në vitin 2014, Moska i druhet një infektimi të mundshëm të zonave të jugut dhe, meqë talebanët kanë qenë të suksesshëm në spastrimin e rajonit nga militantët e Shtetit Islamik, ajo i sheh si aleatë të mundshëm.

Top Channel