Maqedoni, Vajgl-Fleckenstein-Kukan: Të gjenden fajtorët e dhunës

03/05/2017 00:00

Eurodeputetët Ivo Vajgl, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, përmes një deklarate i bënë thirrje presidentit Gjorge Ivanov që të respektojë vullnetin e shumicës parlamentare, si dhe apeluan që të gjenden fajtorët për dhunën në Kuvend e të përgjigjen përpara drejtësisë.

“Ne jemi të angazhuar prej më shumë se dy vitesh në emër të Parlamentit Europian, me qëllim që të lehtësohet dialogu midis udhëheqësve politikë, që të mund të dilet nga kriza në Maqedoni. Mbështesim zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe shpresojmë që së shpejti të nisë të ushtrojë detyrën. Shumicës parlamentare duhet t’i lejohet të formojë Qeverinë pa vonesa të mëtejshme. Presim emërimin e kryeministrit të ri në dy javët e ardhshme dhe i bëjmë thirrje Ivanovit të mos e pengojë rrugën demokratike dhe dëshirën e qytetarëve për të dalë nga kriza. Shtyrjet e mëtejshme të formimit të Qeverisë së re do të sjellin pasoja të pashmangshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të eurodeputetëve.

Top Channel