Nenad Çanak ka hyrë në garën për president të Serbisë vetëm me një qëllim, që tani e tutje të thotë të vërtetën. Kjo, thotë ai, është një gjë e rëndësishme pasi realiteti duhet pranuar dhe një politikë e re është e domosdoshme. Fushatën, Çanak e ka filluar duke folur për pavarësinë e Kosovës.

“Përse njerëzit që udhëheqin Serbinë nuk e pranojnë këtë fakt të vërtetë? Secili prej tyre në biseda private e thotë se Kosova është e pavarur. Por kjo zakonisht në Serbi ndëshkohet me vota. Dhe, kur mohohet e vërteta si politikëbërje e përditshme, atëherë i tërë shteti shkon drejt gënjeshtrës. Në luftë për vota sakrifikohet e vërteta dhe Serbia është duke shkuar në këtë drejtim”, deklaron Çanak.

Çanak është njëri prej politikanëve më të vjetër në Serbi. Ai ka qenë i mobilizuar në betejën e Vukovarit në Kroaci dhe i detyruar që të luftonte. Por nga blloku demokratik është ndër të rrallët që nuk i ka ndryshuar mendimet. Përballja me të shkuarën në një kohë kur kërcënojnë politikat populiste, thotë ai, është e rëndësishme. Gjithashtu, ai kërkon lidhje dhe jo ndarje të rajonit.

“Përgjigjia se serbët janë fajtorë për gjithçka nuk është e vërtetë. Por nëse është ashtu, i bie që secili që përmend Holokausitin të mendojë se të gjithë gjermanët janë fajtorë. Kjo nuk qëndron. Ishte sistemi dhe idologjia naziste e Adolf Hitler me të gjithë aparatin e tij që e zbatuan. Nuk ekziston popull i drejtë apo i shtrembër, ndaj është e rëndësishme të thuhet e vërteta, e sidomos secili për popullin dhe shtetin e tij”, thotë Çanak.

Politikani nga Novi Sadi beson se kryeministri i Serbisë ka bërë disa veprime pozitive, ndërsa vëren se Evropa dhe NATO, në një vend ku Aleanca Veri-Atlantike nuk shihet me lakmi, janë e vetmja alternativë.

“Rusia ka interes destablizimin e Bosnjës, krijimin e problemeve në Mal të Zi dhe kontrollin e Serbisë. Në këtë moment për Serbinë është më mirë të futet urgjentisht në NATO, por pastaj përgjigja është se NATO na ka bombarduar neve. Kjo është e vërtetë, por NATO bombardoi Serbinë pasi Sllobodan Millosheviç ishte kreator i pesë luftërave”, thotë Çanak.

I vetëdijshëm se gjasat për fitore nuk i ka të mëdha, Çanak thotë se, nëse thuhet e vërteta për çdo ditë, ajo mund të ndihmojë.

Top Channel