Raporti i lumturisë, Norvegjia zbret nga froni Danimarkën

20/03/2017 00:00

Norvegjia është vendi më i lumtur në botë, sipas raportit më të fundit të një agjencie të Kombeve të Bashkuara, duke zbritur nga maja e podiumit fqinjin e saj Danimarkën.

Raporti mbi lumturinë në botë mat përgjithësisht “mirëqenien subjektive”, apo thënë ndryshe sa të lumtur janë njerëzit dhe përse ndihen të tillë. Danimarka, Islanda, Zvicra dhe Finlanda janë vendet që pasojnë novergjezët, ndërkohë që vendi që duhet shmangur në këtë aspekt është Republika e Afrikës Qendrore, e fundit në listë.

Europa perëndimore dhe Amerika veriore dominojnë vendet kryesore në renditje, duke qenë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe renditen në vendet 14 dhe 19 respektivisht. Ndërkohë që vendet e Afrikës nënsahariane dhe ato të goditura nga konflikti, ashtu siç parashikohej, kanë shënuar vlerësime të ulëta. Siria renditet e 152-ta nga 155 vende, ndërsa Jemeni dhe Sudani Jugor që përballen edhe me krizë urie renditen në vendet 146 dhe 147 respektivisht.

Raporti botëror i lumturisë është publikuar pikërisht këtë të hënë 20 marsi, për të koinçiduar me Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, sipas OKB-së.

Raporti hartohet mbi bazën e një pyetjeje tepër të thjeshtë dhe subjektive, e cila iu është bërë 1.000 personave si çdo vit, të shpërndarë në mbi 150 shtete.

“Imagjinoni një shkallare me 10 ndarje, që nis nga zeroja poshtë dhe ngjitesh një e nga një deri tek e dhjeta në majë, – pjesë e pyetjes kjo. – Maja e shkallëve përfaqëson jetën më të mirë të mundshme për ju dhe fundi i tyre jetën më të keqe të mundshme. Në cilën shkallë mendoni ju personalisht se ndodheni në këtë moment?”.

Megjithatë, e veçanta e raportit të sivjetshëm është përmbajtja e një kapitulli të veçantë të titulluar “rikthimi i lumturisë amerikane”, që tregon se përse nivelet e lumturisë në Shtetet e Bashkuara janë duke rënë, pavarësisht rritjes së vazhdueshme ekonomike.

“Shtetet e Bashkuara munden dhe duhet të rrisin lumturinë e shtetasve të tyre, duke adresuar krizat shumanëshe sociale të Amerikës, përfshi këtu rritja e pabarazisë, korrupsioni, izolimi, si dhe mosbesimi, në vend që të fokusohen ekskluzivisht apo kryesisht në rritjen ekonomike”, thonë autorët. “Kriza e Amerikës është një krizë sociale, jo krizë ekonomike”.

Top Channel