Presidenti Nishani nderohet nga Universiteti Filologjik i Azerbajxhanit

17/03/2017 00:00

Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në edicionin e pestë të Forumit Global të Bakusë, zhvilloi sot një vizitë edhe në Universitetin shtetëror Filologjik të Azerbajxhanit, ku nga rektori në detyrë i këtij Universiteti, Afgan Ali Abdullayev, iu akordua titulli “Doktor Nderi”.

Presidenti Nishani falenderoi trupën drejtuese dhe akademike të Universitetit për titullin e akorduar, si dhe përshëndeti studentët e shumtë, azerë dhe të huaj, të pranishëm në këtë ceremoni.
 
Në mesazhin drejtuar auditorit, Presidenti Nishani përgëzoi trupën akademike për vijimin e traditës së bukur të krijuar nga akademikët dhe profesorët azerë afro një shekull më parë, si dhe theksoi se fuqia që studentët marrin në auditoret e këtij universiteti e bën më të lehtë ndërveprimin mes kulturave të ndryshme, dhe për më tepër mes dy popujsh të vjetër, shqiptarëve dhe azerëve.
 
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu kënaqësinë dhe vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira e intensive mes dy vendeve, veçanërisht në dy vitet e fundit, si dhe theksoi se më shumë duhet bërë edhe në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore. “Do të ishte ideale që dy vendet të rrisnin me sa mundësi kanë shkëmbimin e studentëve dhe të eksperiencave të vlefshme akademike”, u shpreh Presidenti Nishani.
 
Presidenti Nishani iu përgjigj më pas interesimit të studentëve lidhur me bashkëpunimin dhe aspektet që i afrojnë dy vendet me njeri-tjetrin, si dhe la një shënim të shkurtër edhe në librin e miqve të Universitetit shtetëror Filologjik të Azerbajxhanit.
 
Në mbyllje të vizitës në Universitet, Presidenti Nishani, iu përgjigj dhe interesit të mediave vendase, të cilat gjithashtu u interesuan mbi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të ardhmen e këtij bashkëpunimi.

Top Channel