Gabimi në natën e “Oscars”, fajtorët mbrohen me truproja

03/03/2017 00:00

Dy llogaritarët që bënë gabimit trashanik natën e çmimeve “Oscar”, duke ngatërruar zarfin e çmimit kryesor, tashmë mbrohen me truproja për shkak të kërcënimeve me vdekje që kanë marrë në rrjetet sociale.

Kompania e kontabilitetit “PWC” tha se janë shtuar masat e sigurisë te banesat e Brian Cullinan dhe Martha Ruiz, pas gabimit që ata bënë.

Sipas medieve amerikane, dy nëpunësit e kompanisë kishin frikë për jetën e tyre. Gabimi i tyre i dha çmimin si “filmi më i mirë” musikalit “La La Land” për pak minuta, por më pas çmimi iu akordua fituesit të vërtetë “Moonlight”.

Mësohet se Cullinan dhe Ruiz nuk do të punësohen më në organizimin e ceremonisë së çmimeve “Oscar”, por nuk do të humbasin punën e tyre si llogaritarë te “PWC”.

Zyrtarë të kësaj të fundit thanë se u detyruan të marrin masa për mbrojtjen e dy nëpunësve, pasi fotot e shtëpive dhe familjeve të tyre u shfaqën në rrejtet sociale, të shoqëruara me kërcënime serioze. Duket se gabimi më i madh në historinë 89-vjeçare të çmimeve “Oscar” nuk është pritur aspak mirë nga disa prej fansave, që mbase mund të kenë vendosur të ndëshkojnë fajtorët.

Top Channel