Uji i ndotur në Durrës, shqetësimi nga amortizimi i ujësjellësit

23/02/2017 00:00

Shumë banorë në qytetin bregdetar të Durrësit ankohen për ndotje të ujit të pijshëm, që po vë në rrezik shëndetin e tyre dhe po rrit ndjeshëm kostot mujore të familjeve durrsake. Shkak i ndotjes është amortizimi i rrjetit të ujësjellësit, në të cilin nuk investohet prej disa dekadash.

Në rrugën “Vasil Kuqi” të lagjes 12 në Durrës, banorët ankohen se uji i pijshëm është përzjerë me ujërat e zeza. 

“Kam 1 muaj që kam çuar kërkesën tek ujësjellësi me firmat e banorëve. Ngelëm duke blerë ujë”, shprehet një nga banoret e kësaj zone.

Ata ankohen jo vetëm për pamundësinë financiare për të përballuar blerjen e ujit për të pirë, gatuar apo dhe për t’u larë, por edhe për probleme shëndetësore, që u janë shfaqur nga përdorimi i ujit që rrjedh në rubineta.

“Kam qenë edhe në spital, kam marrë infeksion vetëm nga uji i pistë2, shprehet një banore, ndërsa një tjetër shton se “Nuk mund të lahem, më mbushet trupi me puçrra”.

“Po i shohim me imtësi të gjitha kërkesat. Kemi bërë disa ndërhyrje në lagjen 12. Hapi i parë pas marrjes së analizave, do kalojmë në manovrimet e linjës”, shprehet Inxhinieri i Ujësjellës-kanalizimeve Durrës, Gerald Dautaj.

Ndotje të ujit të pijshëm që në rrjet janë konstatuar edhe në lagje të tjera të qytetit, si dhe në zonën e plazhit ku po punohet për zgjidhjen e situatës dhe kthimin në normalitet të furnizimit, ndërsa Ujësjellësi kërkon më shumë vëmendje nga qytetarët për të raportuar në kohë ndotjet dhe pastruar tubacionet e depot e ujit.

Top Channel