Falen borxhet, rriten pensionet

22/02/2017 13:30

Qeveria miratoi draftin që fal borxhet e biznesit në Tatime dhe Dogana. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj listoi se kush janë përfituesit kryesorë të ligjit.

“Fshihen detyrimet fiskale, përfshirë principalin, kamatëvonesat dhe gjobën, për përiudhat përpara dhjetorit 2010. Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2011-2014, me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paguhet i plotë tatimi, taksa, tarifa, apo kontributi”, tha Ahmetaj.

Por drafti fal borxhet edhe për një kategori individësh, që burojnë nga taksat e papaguara të automjeteve.

“Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri në dhjetor të vitit 2011. Si dhe shuarjen e çdolloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu për mjetet e transportit, të cilat nuk hiqen nga qarkullimi, parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat para vitit 2010, si dhe fshirja e gjobave dhe kamatave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve nga 2011-a e në vijim”, deklaroi më tej Ahmetaj.

Në mbledhjen e së mërkurës qeveria miratoi edhe vendimin që rrit me 3 për qind të gjitha pensionet, duke filluar nga data 1 mars.

Top Channel