Veliaj-Veseli: Tirana dhe Prishtina, shumë sfida që arrihen me punë

21/02/2017 00:00

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është takuar me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ata vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosaovës dhe diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës.

“Jam shumë i lumtur që je në Tiranë dhe dua të ndjehesh si në shtëpitë tënde. Jam i lumtur për të gjithë kontributin tuaj. E di që edhe Tirana, edhe Prishtina, Kosova, Shqipëria, kanë jashtëzakonisht shumë sfida që arrihen veçse me punë. Të falenderoj shumë për inkurajimin dhe e kam ndjekur me shumë admirim mënyrën sesi po udhëhiqni për vendimmarrje të drejta, jo të lehta, por të drejta për Kosovën. Ju uroj shumë sukses”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj e njohu z. Veseli edhe me disa nga projektet e mëdha për të cilat po punohet në Tiranë, midis të cilëve edhe ai i sheshit “Skënderbej”, i cili do përfaqësojë të gjitha trevat shqiptare, si me pemët që po mbillen, ashtu edhe me pllakat që po shtrohen. Ai nderoi z. Veseli me “Çelësin e Qytetit” për kontributin e dhënë.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Veseli e cilësoi punën e realizuar nga kryebashkiaku Veliaj si shembull i përgjegjësisë që duhet të kenë kryetarët ndaj qytetarëve të tyre.

Top Channel