Pak minuta para mesditës, militantët e opozitës me në krye Lulzim Bashën dhe Sali Berishën u nisën drejt vendit të protestës së paralajmëruar.

Me entuziazëm e flamuj në dorë, ata u ndalën para selisë së Kryeministrisë. Fjalimet zgjatën 1 orë dhe në përfundim, ata që vendosën të qëndrojnë u ulën në tokë.

Bashkë me qytetarët u ul edhe kryetari Basha dhe ish-kryeministri Berisha. “Qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë do të largohem i fundit”, tha Basha.

“Me shpirt do të rrij 24 orë në 24 deri në ditën e fitores”, u shpreh Berisha.

Më tej, dhjetëra të rinj të Forumit Rinor vazhduan ndërtimin e çadrës së madhe të cilën demokratët e quajtën “Shtëpia e re e demokratëve, çadra e lirisë, qëndresës dhe protestës”.

Me sipërfaqe disa qindra metra katrorë dhe 8 metra e lartë, në këtë çadër qëndrojnë disa qindra të rinj, militantë dhe deputetë. Bashkë me ta, përgjatë natës do të qëndrojë edhe Lulzim Basha.

Çadra qëndron mes Kryesisë së Kuvendit dhe zyrës së kryeministrit Rama, për të cilin Aldo Bumçi kishte një mesazh. “Ose të largohet butësisht dhe të krijojë kushte për zgjedhje të lira, ose do të largohet me mjete të tjera”, tha Bumçi në një prononcim për Top Channel.

Drejtuesit e opozitës treguan se qëllim i protestës janë zgjedhjet, ndërsa protestuesit nga e gjithë Shqipëria treguan arsyet përse ishin në shesh kundër qeverisë.

“Kemi ardhur për të protestuar kundër kësaj qeverie dhe për një qeveri më të mirë që e ndihmon popullin”, tha një vajzë protestuese.

“Kam ardhur nga Lura sepse kërkoj të drejtat e mia të humbura”, tha një i moshuar.

“Mallakastriotët u zhgënjyen nga qeverisja e Ramës, që premtoi 300 mijë vende pune”, tha një tjetër.

Top Channel