Nuk ka grip shpendësh, alarm fals në Fier

09/02/2017 00:00

Pas alarmit të ardhur nga zona e Fierit për infektimin e shpendëve nga virusi H5N8, i njohur si gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë thotë se nuk ka vend për panik.

Rreth 500 krerë kanë ngordhur brenda dy ditëve të fundit në fshatrat Shënpjetër, Topojë dhe Seman të Fierit, duke përhapur panikun e gripit të shpendëve.

Ministria e Bujqësisë analizoi mostrat e këtyre shpendëve, prej nga ministria thotë se rezultojnë të paprekura nga virusi por nga infeksione të zakonshme.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shkarkoi nga detyra inspektoren Tatjana Dizdari e cila në datën 24 janar ka lejuar kalimin e 66 mijë zogjve nga dogana e Hanit të Hotit duke thyer urdhrin e ministrit për ndalimin e importit të shpendëve.

AKU thotë se do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjore deri në procedim penal ndaj inspektores.

Për shkak të rikthimit në Europën Veriore, për herë të parë që nga viti 2006, i gripit të shpendëve, Ministria e Bujqësisë vendosi të bllokojë importin e shpendëve. Vendet e prekura janë Austria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Polonia, Rusia, Zvicra, Holanda.

Top Channel