Diplomacia ndërkombëtare kundër Trump: Jo masa represive

30/01/2017 00:00

Një numër i madh diplomatësh nga e gjithë bota pritet të formulojnë një kritikë zyrtare ndaj kufizimeve për refugjatët të presidentit Donald Trump.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, një “mesazh mospajtimi” është hartuar për zyrtarët e vjetër të Departamentit amerikan të Shtetit, por ende nuk është dërguar.

Teksti në fjalë, i cili ka rënë në duart e mediave, thotë se ndalimi i qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane nuk do ta bëjë Amerikën më të sigurtë dhe është një masë anti-amerikane.

Gjithashtu, në të vlerësohet se, masa të tilla do të cënojnë marrëdhëniet me botën islamike dhe do të largojnë vendet që ndihmojnë në luftën kundër terrorizmit.

Në dokument vihet gjithashtu në dukje se, shumica e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara janë kryer nga qytetarë të lindur në Shtetet e Bashkuara ose të natyralizuar dhe nënvizohet se kjo masë i ngjan kufizimeve që u vendosën ndaj japonezo-amerikanëve gjatë Luftë së Dytë Botërore.

“Rezultatet e kësaj mase nuk do të jenë rënia e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, do të kemi një rënie të vullnetit të mirë kundrejt amerikanëve dhe një kërcënim serioz kundrejt ekonomisë tonë”, thotë më tej mesazhi.

Presidenti Trump i firmosi kufizimet e reja ditën e premte. Urdhëri i tij ekzekutiv ndërpreu për 120 ditë të gjithë programin e SHBA për refugjatët, si dhe ndaloi hyrjen për një periudhë të pacaktuar të qytetarëve nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Top Channel