Në prag të skadimit të afatit për krijimin e qeverisë maqedonase nga partia fituese VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti kryetar i partisë më të madhe shqiptare, BDI, intensifikon takimet me kryesinë, për marrjen e vendimit nëse do të hyjnë në qeverinë e re.

Jo zyrtarisht mësohet se jo të gjithë anëtarët e kryesisë mbështesin koalicionin me  VMRO-DPMNE-në. Kryetari i komunës së Kërçovës nga radhët e BDI-së Fatmir Dehari, gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së Samuel Zhbogar, ka thënë se do te preferonte ta kishte kundërshtar e jo partner Nikola Gruevskin për shkak të retorikës së tij nacionaliste.

Sipas Deharit partitë politike që negociojnë për formimin e qeverisë duket të kenë prioritet interesat e përgjithshme të qytetarëve.

Nga ana e tij Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar përsëriti qëndrimin e ndërkombëtarëve se vendit i duhet një qeveri që do të angazhohej në zbatimin e reformave urgjente. Ndërkaq, LSDM opozitare pret që mandatarit Gruevski t’i skadojë afati për formimin e qeverisë në mënyrë që mandati t’i dorëzohet asaj si parti e dyte fituese.

Sipas nënkryetarit të LSDM-së, Damjan Mançevskit, deklarata e përbashkët e partive shqiptare është vetëm pjesërisht e përshtatshme me platformën e LSDM-së, por për këtë do të deklarohen vetëm pasi të marrin mandatin.

Ekspertë te cituar nga DË vlerësojnë se përgjegjësia më e madhe bie mbi BDI-në, e cila tanimë është faktori kyç që do të përcaktojë fatin e Maqedonisë.

Top Channel