Transporti urban, Veliaj: Vlerësim me pikë për kompanitë

28/01/2017 00:00

Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka bërë të ditur se operatorët e transportit publik në Tiranë do t’i nënshtrohen një sistemi pikëzimi, si një mënyrë kontrolli për respektimin e orareve dhe kushteve për udhëtim normal të qytetarëve.

Ai ishte i pranishëm në analizën vjetore të punës së Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, ku u shpreh për mostolerim të kontratës nga ana e operatorëve.

“Falë gjobave të AMK-së kemi transformuar mënyrën e bërjes së politikave të transportit në Tiranë. Kompanitë që kanë nisur të operojnë nga fillimi i këtij viti, vlerësohen në bazë të një sistemi pikësh. Gjoba ndikon në sistemin e pikëve, të cilat reduktohen deri në humbjen e licencës për një operator i cili nuk performon, për të cilin ka ankesa, që nuk jep biletën, që nuk ndalon në stacion, që ecën ngadalë apo kur nuk i punon kondicioneri, kur faturino pi cigare apo kur shoferi flet në telefon”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Falë sistemit të ri të pikëzimit, tha Veliaj, kur dikush futet në ‘listën e zezë’ të kompanive që nuk respektojnë rregullat për një transport publik të shpejtë dhe cilësor, nuk do ketë më kurrë akses për të shërbyer në Tiranë. “E vetmja mënyrë se si mund ta përmirësojmë shërbimin është falë pikëzimit; sot kemi vendosur një sistem transparent se si do të verifikojmë shërbimin që ofrohet nga të gjithë operatorët tanë të transportit publik”, shtoi ai.

Veliaj vlerësoi si një nga arritjet e AMK-së punën e realizuar në lirimin e hapësirave publike dhe rikthimin e tyre në shërbim të qytetarëve, veçanërisht hapësirat për më të vegjlit e qytetit.

Top Channel