Propagandë për ISIS, arrestohet një mësuese në Shkodër

19/01/2017 00:00

Komuniteti Mysliman Shqiptar është distancuar nga mësuesja e arrestuar Emine Alushi, në Shkodër.

Drejtori i Medresesë së Vajzave në Shkodër, Kujtim Dervishi, ku edhe jepte mësim mësuesja e arrestuar, siguroi me anë të një deklarate publike se shkolla është e distancuar nga qëndrimet e saj dhe se është vetëm me linjën e KMSH-së.

Dervishi tha se në Medrese nuk bëhet propogandë për ISIS-in: “Ajo çfarë ka thënë mësuesja në atë video nuk përfaqëson linjën e Medresesë, përkundrazi Medreseja ka një qëndrim krejt të kundërt. Medreseja Shkodër funksionon me standarte bashkëkohore në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar dhe linjës së Kumunitetit Mysliman të Shqipërisë. Jemi njohur mbrëmë me këtë video dhe gjithë stafi unanimisht qartë e në formë të prerë jami distancuar nga qëndrimet e kësaj mësuese. Duhet theksuar se mësuesja në video ka qenë mësuese me kohë të pjesshme dhe ka një vit që nuk është mësuese në Medrese”.

Emine Alushi u arrestua në orët e para të së enjtes, pas publikimit të një videoje ku shihet qartë se Alushi bën propagandë në mbështetetje të ISIS-it. Alushi do të merret në pyetje në Tiranë përpara se të dalë në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vlerësimin e masës së sigurisë.

Burimet policore bën të ditura se për Alushin nuk ka patur të dhëna për propogandën e saj pro ISIS-it. Këto të dhëna kanë munguar edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Burimet policore bënë të ditura se hetimi ndaj saj do të kryhet edhe mbi kontaktet e saj për të parë nëse është pjesë e ndonjë grupi propagandistik të ISIS-it.

Top Channel