Meta pret ambasadoren e Islandës

17/01/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti ambasadoren e Islandës në Shqipëri, Estrid Brekkan, me të cilën vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve politike dypalëshe dhe atë në nivel ndërkombëtar.

Meta u shpreh se bashkëpunimi ekonomik e kulturor mes Shqipërisë dhe Islandës duhet ngritur në një nivel më të lartë, ndaj Kuvendi do të jetë i hapur për të kontribuuar në këtë drejtim.

Meta nënvizoi gjithashtu se kompletimi i kuadrit ligjor, veçanërisht në drejtim të nxitjes së investimeve, do të ndikonte ndjeshëm në shkëmbimet dypalëshe. Ambasadorja e Islandës, Brekkan shprehu interesin e palës islandeze për intensifikimin e marrëdhënieve të gjithanshme me interes të përbashkët dhe theksoi se rritja e fluksit të shkëmbimeve politike e njerëzore, veçanërisht në planin ndërparlamentar, do të shtonte edhe interesin reciprok për më tepër shkëmbime tregtare në të ardhmen.

Top Channel