Të rinjtë qepin trasta; Nisma e kthyer në art për të mbrojtur mjedisin

15/01/2017 00:00

Duhet shumë pak për t’i dhënë jetë një cope të vjetër, një veshjeje që nuk e përdor më, apo një thesi kafeje; për të krijuar një çantë të re, atë që një grup të rinjsh në kryeqytet preferojnë ta quajnë ‘trastë’.

Një trastë mund të zhdukë deri në 500 qese në vit, ndaj ata, ashtu si në një punishte të vërtetë çantash, kanë ndarë procesin për të prodhuar sa më shumë të tilla.

Dikush me talent në pikture, ngjyros, dikush tjetër pret, e të tjerë akoma qepin në makinën qepëse.
“Ne synojmë që t’i prodhojmë me materiale të riciklueshme që do të thotë me bluza të vjetra, me thasët e kafesë qe nuk përdoren e t’u japim jetë që të mbrojmë edhe mjedisin, edhe të bëjmë diçka  shumë të bukur me artin e riciklimit”, tha Jetmira Halilaj, aktiviste.

Veç pasionit për artin, këta të rinj ndajnë mes tyre edhe dashurinë për natyrën.

“Jemi një grup aktivistësh që e duam shumë mjedisin dhe duam që ‘Trasta o nëna’ ta kthejmë në një lëvizje për mjedisin për të eliminuar qesen plastike. Aktualisht çdonjëri prej nesh konsumon të paktën 1.5 qese në ditë. Qesja është një nga ndotësit kryesor të mjedisit pasi do kohë të riciklohet. Vitin e fundit kanë filluar një trend i ri që po i përdorin trastat dhe ne do bëjmë shumë fushata që t’i ftojmë njerëzit që t’i japin një stil unik trastës së tyre”, u shpreh aktivistja Halilaj.

Më 28 janar këta të rinj synojnë të prodhojnë 5.000 trasta me synimin që të thyejnë një rekord Guinness dhe me të ardhurat e mbledhura prej tyre, të ndihmojnë gratë në nevojë.

Top Channel