Gruevski refuzon shqipen, kushtin e partive shqiptare me në krye BDI

13/01/2017 00:00

Nikola Gruevski nuk pranon kërkesën e panegociueshme të BDI-së për gjuhën shqipe në të gjithë territorin e Republikes së Maqedonisë dhe zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale.

Ish-kryeministri e bëri të ditur qëndrimin e tij, pasi është njohur me 4 kushte të panegociueshme të Bashkimit Demokratik për Integrim, drejtuar nga Ali Ahmeti.

Refuzimi i kërkesave të panegociueshme do të thotë një dështim i mundshëm i negociatave, mes dy partive dikur aleate në qeverisjen e Maqedonisë. Gruevski është mandatuar për të krijuar qeverinë e re dhe ai ftoi të parët shqiptarët e BDI-së.

Por para takimit, partia më e madhe shqiptare paraqiti 4 kërkesa, për të cilat nuk bënte asnjë lëshim. Ato janë: Përdorimi i barabartë zyrtar i gjuhës shqipe, integrimi në NATO, integrimi në BE dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, me qëllim zbardhjen e të gjitha dyshimeve të dala nga megaskandali i përgjimeve.

Burime zyrtare të BDI-së, të kontaktuar nga Top Channel lidhur me 4 kushtet e panegocueshme, si dhe faktin se në to mungojnë disa prej pikave të paraqitura në platformën e rënë dakord në Tiranë, kanë sqaruar se në platformë ka edhe pika të negociueshme, siç janë ndryshimet kushtetuese.

Të njëjtat burime shtojnë se, të gjithë janë të vetëdijshëm që këto ndryshime të Kushtetutës janë të parealizueshme në këto rrethana, dhe se do të duhet kohë deri në realizimin e tyre. Duke u ndalur te zhvillimi ekonomik i barabartë rajonal, shprehen se kjo pikë nënkupton vetëm zbatimin e ligjit ekzistues. Ndërsa te zbatimi i “Marrëveshjes së Ohrit” shtojnë se, vetëm gjuha është çështje e pazgjidhur.

Top Channel