Gjendet strehimi për 3 familjet që mbetën pa strehë në Dragobi

13/01/2017 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, ishte në Dragobi, pas publikimit të lajmit në Top Channel për djegien e banesës së tre familjeve në këtë zonë.

Tre familje në zonën e Dragobisë në Tropojë mbetën pak ditë më parë në qiell të hapur për shkak të një zjarri që ra në banesën e tyre, një kullë karakteristike e zonës. Zjarri i rënë nga një shkëndijë elektrike la të gjithë pjesëtarët e familjeve Ismalaj pa një kulm mbi kokë në këto ditë të ftohta dimri. Menjëherë nga vënia në dijeni për ngjarjen, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë udhëtoi drejt Dragobisë, pranë familjeve Ismalaj për t’iu ofruar ndihmesën e nevojshme për anëtarët e këtyre familjeve, në zonën që prej ditësh është e mbuluar nga dëbora dhe me vështirësi aksesi për automjetet.

Kryefamiljari Niman Ismalaj dhe djali i vogël i familjes, Dorian Ismalaj, i treguan ministrit Klosi për momentin e rënies së zjarrit, që fatmirësisht ra ditën, duke u dhënë kohë anëtarëve të dalin prej saj. “Fatmirësisht nuk pati të lënduar nga zjarri”, tregon kryefamiljari Nimani, por zjarri dogji tërësisht këtë banesë, duke e bërë atë të pabanueshme.

Këto ditë ata tregojnë se janë strehuar tek të afërmit e tyre, duke iu drejtuar autoriteteve për zgjidhje. Ministri Klosi, në bashkëpunim me prefekturën e qarkut dhe Emergjencat Civile, tha se menjeherë nga vënia në dijeni dhe interesimi i drejtëpërdrejtë i kryeministrit Edi Rama për rastet e familjeve në nevojë, u gjet zgjidhja e sistemimit të familjeve në një banesë në qytetin e Bajram Currit, e cila do t”ju dhurohet falë ofrimit të ndihmës nga biznesi vendas.

Me zhbllokimin e zonës nga dëbora, familjet do të ndihmohen edhe për rindërtimin e banesës, një nga më të vjetrat e krahinës, ndërtuar nga të parët e tyre më shumë se 200 vjet më parë. Familjarët thonë se ka edhe vlera historike, pasi ajo ka shërbyer në kohën e luftës si vendi i mbledhjes dhe i strehimit të patriotëve shqiptarë të kësaj zone.

“Jemi këtu në Dragobi, së bashku me nënprefektin e Qarkut të Kukësit, në shtëpinë e një patrioti të vjetër dhe një nga më të vjetrat e zonës, e cila fatkeqësisht gjatë ditëve të fundit është djegur dhe është bërë e pabanueshme. Jemi për ta ndjekur nga afër këtë situatë dhe të gjejmë një zgjidhje të shpejtë duke bashkëpunuar me biznesin e zonës dhe me mundësitë që kanë emergjencat civile për ta sistemuar familjen në qytetin Bajram Currit e më pastaj këtë shtëpi monument kulture, simbol i historisë së kësaj zone, ta kthejmë në simbol të dëshmisë historike të jetëgjatësisë së saj. Pushteti lokal, nënprefekti dhe të gjitha strukturat e emergjencës civile, menjëherë sapo të kalojë situata e rënduar e borës, do të afrohen pranë tyre, për të bërë të gjitha procedurat ligjore dhe të gjithë sistemimin normal. Por nga dita e nesërme, familja do të sistemohet në një banesë të re në qytetin e Bajram Currit, e cila do të jetë pronë e tyre”, deklaroi ministri Klosi.

Top Channel