Pastrimi i Tiranës, në kryeqytet dëbora deri në 10 centimetra

12/01/2017 00:00

Përveç bukurisë, bora e munguar që nga viti 1985 i solli kryeqytetit edhe vështirësi në qarkullim. Temperaturat e ulëta bënë që pasi shtresa e borës të ngrinte dhe të krijonte probleme për autmojetet.

Mëngjesin e së enjtes bora në trotuare ishte shndërruara në akull duke u shkaktuar probleme edhe qytetarëve që kalonin në to, shumë prej të cilët pësuan dhe fraktura nga rrëshqitja.

Por, në Tiranë qytet kjo situatë u zhbllokua shumë shpejt pasi bashkia mori masat, qoftë edhe duke i ndihmuar më të moshuarit për të kaluar pjesë të vështira të rrugës.

“Kemi të bëjmë me një situatë jo të zakontë. Edhe mbrëmja ka qenë e vështirë pasi pati një bllokim të përkohshëm të akseve kryesore, por Bashkia e Tiranës mori masa. Rreth 1.200 punëtorë të bashkisë, me mjete të rënda dolën për të zhbllokuar rrugët kryesore. E njëjta situatë vijoi edhe sot në mëngjes, kur brigadat dolën në terren dhe hapën akset. Rreth orës 6 të mëngjesit akset kryesore ishin të kalueshme. Pati probleme me rrugët dytësore, të cilat po trajtohen dhe janë drejt zhbllokimit total”, ka deklaruar Elton Kacidhja, drejtor i Ndërmarrjes 2 pranë Bashkisë së Tiranës.

Në njësitë administrative më në periferi të kryeqytetit bora pothuajse zuri 10 centimetra dhe ngricat shkaktuan probleme edhe më të mëdha.

“Komunat kryesore që kanë shfaqur probleme dhe që po asistohen janë Kërraba, Peza, Petrela. Besojmë se brenda ditës së sotme, deri në mesnatë do të kemi një situatë të normalizuar në të gjitha njësitë administrative të Tiranës”, ka shtuar Kacidhja.

Top Channel