Strehimi i endacakëve, policia gjen 50 persona në Tiranë

09/01/2017 00:00

Vetëm gjatë së dielës, patrullat e Policisë së Tiranës kanë shoqëruar në qëndrat sociale 16 persona të pastrehë, apo siç njihen ndryshe endacakë.

“Nisur nga situata e përkeqësimit të motit, vetëm gjatë 3 ditëve të fundit kemi shoqëruar në qëndrat sociale 50 persona. Gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje qytetarëve të lajmërojnë në numrin 112 kur shohin persona të pastrehuar. Gatishmëria do të vazhdojë deri në përmirësimin e kushteve të motit”, ka deklaruar Klodjan Blushi, shef i sallës operative.

Ndërkohë, në Elbasan një familje u strehua nga bashkia gjatë natës edhe me ndihmën e policisë, pasi gjendej në kushte shumë të vështira dhe e kishte të pamundur të përballonte temperaturat e ulëta.

Ndihmën e saj për këtë familje, por edhe familjet e tjera në vështirësi dha edhe Myftinia e Elbasanit, e cila po shpërndan dru zjarri. Po ashtu edhe në Vlorë, bashkia ka strehuar 5 familje në kushte të vështira në mjesidet e konviktit të Shkollës Indrustriale.

Ndërkohë, ka shkuar në 193 numri i personave në situatë rruge që janë strehuar nga bashkia e Tiranës, ndërkohë që temperaturat vijojnë të jenë të ulëta.

Punonjësit e Policisë Bashkiake kanë vijuar të punojnë me intensitet për evidentimin e personave që janë në kushte të vështira duke i strehuar në qendrat sociale, si dhe u janë përgjigjur telefonatave të qytetarëve të cilët kanë lajmëruar për raste emergjente dhe që kanë pasur nevojë për trajtim.

Edhe strukturat e tjera të Bashkisë së Tiranës janë në gatishmëri të plotë për përballimin e kësaj situate emergjente, duke ndihmuar në hapjen e rrugëve të bllokuara si pasojë e ngricave apo rrëshqitjes së dherave.

Top Channel