Nikoliç bën arrogantin. Presidenti serb-Kosovës: Tani do të na shihni

06/01/2017 00:00

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç e nis festën në selinë e tij. Duhej të ishte në Koka, Shterpcë të Kosovës, por autoritetet e Prishtinës ia ndaluan hyrjen në territorin e saj.

Nikoliç, duke kryer ceremoninë e Krishtlindjes tha se Beogradi ia ka lejuar Kosovës disa gjëra, pasi ka dashur të tregojë gatishmëri. Por kjo, sipas tij, nuk ka më kuptim.

“Dashuria e tyre ndaj pavarësisë e ka humbur arsyen dhe lidhjen me atë se çfarë është e mundur dhe çfarë jo. Zihen me ne duke e ditur se pavarësia nuk është e mundur. Mirësjelljen tonë e paraqesin si dobësi. Por Serbia nuk është e dobët dhe këtë, veçanërisht duhet ta dijë administrata në Prishtinë”, tha Tomislav Nikoliç, president i Serbisë.

Kosova ia ka ndaluar edhe disa zyrtarëve të tjerë serbë futjen në Kosovë. Kjo ka irrituar Beogradin zyrtar. Ndërsa për Kosovën ka folur edhe patriarku Irinej.

“Derisa të ketë serbë, do të ketë edhe Kosovë. Kosova është shpirti i serbit. Kosova dhe Metohija do të jetë dhe ngelet toka jonë, pasi aty është golgota dhe Jeruzalemi ynë”, tha Patriarku Irinej, kreu i Kishës Ortodokse Serbe.

Kosova ka konsideruar se zyrtarët serbë shfrytëzojnë festat për të bërë deklarime politike.

Top Channel