Zhduket amabsadori i Greqisë në Brazil, dyshime se është rrëmbyer

29/12/2016 00:00

Ambasadori i Greqisë në Brazil, Qiriakos Amoiridhis, është zhdukur që prej tre ditësh dhe deri tani ka qenë i pamundur komunikimi me të.

Lajmi bëhet publik nga mediat braziliane dhe konfirmohet nga burime pranë Ministrisë së Jashtme greke në Athinë. Sipas informacioneve të para, ambasadori grek në Brazil nuk ka komunikuar me familjarët e tij që prej 3 ditësh.

Mësohet se bashkëshortja e tij ka bërë denoncimin në policinë e Rios, por megjithë angazhimin e saj nuk është bërë i mundur lokalizimi i tij.

Hetimet janë marrë në dorë prej policisë kriminale të Brazilit dhe në ndihmë të tyre janë vënë edhe shërbimet sekrete të këtij vendi.

Ende nuk ka informacion se kush mund të fshihet mbas zhdukjes së diplomatit dhe as nëse ai është ende gjallë, por dyshimet kryesore janë se Amoiridhis mund të jetë rrëmbyer prej bandave të shumta që operojnë në qytetin e Rios, për t’u këmbyer kundrejt shumave të mëdha të parave.

Ministria e Jashtme greke konfimon se nuk ka asnjë kontakt me ambasadorin helen që prej ditës së hënë. Që prej kësaj dite, celulari i tij del i fikur, pohoi një burim i kësaj ministrie.

Në kohën kur është zhdukur ambasadori nuk ka pasur roje personale, pasi ishte gjatë lejes së fundvitit dhe nuk e konsideronte të nevojshme mbrojtjen e policisë gjatë ditëve të pushimit, kanë pohuar burimet.

Lidhur me situatën është njoftuar edhe presidenti i Greqisë, Prokopis Pavllopulos, kryeministri Tsipras dhe minitri i Jashtëm Kotzias.

Ambasadori Amoiridhis konsiderohet një ndër diplomatët më të shquar të trupës diplomatike greke. Më parë ai ka shërbyer në disa vende europiane, ndërsa në Brazil ushtron funksionin që prej vitit 2015.

Top Channel