Veliaj-kritikëve: Kapni lopatën e mbillni pemë po e doni qytetin

27/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për krijimin e një parku urban në zonën e Laprakës, ku janë mbjellë fillimisht 320 fidanë të rinj, pjesë e operacionit të madh të gjelbërimit të qytetit për të krijuar atë që njihet si “Pylli Orbital”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë të punojë me intensitet edhe në këto ditë festash. Ai deklaroi se kjo zonë, e cila deri pak kohë më parë ka qenë një vendgrumbullim për mbetjet, do të kthehet në një hapësirë rekreative fantastike për mijëra banorë të Laprakës.

“Më vjen mirë që sot fillojmë parkun urban të Laprakës. Ka qenë një zonë totalisht e djerrë, si një kosh hedhurinash, ndërsa sot po nisim një park urban, i cili do u shërbejë mijëra banorëve që jetojnë në pallatet e reja, por edhe në pjesët që janë të zhvilluara rishtaz nga banorët e ardhur në vitet ’90. Do të jetë një ambient fantastik për ata që do kenë mundësi të kalojnë kohën e tyre të lirë. Jo të gjithë e kanë mundësinë apo kohën të shkojnë tek liqeni apo në parqet e mëdha, si Kashari, Farka, që po pyllëzojmë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që në 15 vitet e ardhshme të mbillen 2 milionë pemë të reja.

“Sikur të gjithë ekspertët e baltës të kishin mbjellë nga një pemë për çdo shpifje e cifël balte që hedhin mbi Bashkinë e Tiranës, do i kishim ato 2 milionë pemë. Fjalët e tepërta janë fukarallëk. Kush do të kontribuojë, ka lopatë, pemë. Kush do që ta gjelbërojë Tiranën e të ndihmojë konkretisht, le ta bëjë konkretisht! Baltosja e Bashkisë, punëtorëve të qytetit që punojnë çdo ditë për Tiranën e ëndrrave tona, nuk është mënyra për të ecur përpara. Jemi një Bashki që jemi fokusuar te puna dhe jo gallata. Mjeshtrat e llafeve të vazhdojnë nëpër studio, mjeshtrat e punës do të vazhdojnë në terren”, tha Veliaj.

Top Channel