Sukth, mbetjet e fabrikave përfundojnë në çezmat e banorëve

23/12/2016 00:00

Sukthi ndodhet vetëm pak kilometra nga Tirana. Dikur bashki, sot, pas ndarjes së re territoriale, është njësi administrative në varësi të pushtetit vendor Durrës.

Kjo zonë, dikur e pasur me pemëtari dhe toka bujqësore, pas viteve ’90 është zgjeruar me banesa informale dhe banorë të ardhur kryesisht nga veriu i vendit. Edhe sot, pas rreth 25 vitesh banorët ende vuajnë pasojat e ndërtimeve pa kriter të banesave të tyre, shumë prej të cilave janë ende në proces legalizimi.

Ndotja nga fabrikat

Vetëm pak kohë më parë, disa banorë të kësaj zone u ankuan pranë emisionit “Fiks Fare” pasi prej më shumë se 7 vitesh, sipas tyre, rreth 40 familje vuajnë ndotjen që vjen nga dy fabrika të vendosura në ambjentet e ish-repartit ushtarak. Njëra fabrikë bën përpunimin e gomave, ndërsa tjetra të vajrave.

Këto fabrika, të vendosura aty pas vitit 2005, mbetjet e tyre të lëngshme i shkarkojnë në disa kanale kulluese jashtë mureve rrethuese të godinave të tyre. Nga këto kanale, uji i ndotur kalon nëpër gjithë rrjedhën e tij përgjatë banesave të ketyre banorëve. Në zonë ndihet jo vetëm era e rëndë, por me sy të lirë arrin të shohësh një shtresë të zezë të vajrave në muret e shtëpive, pikërisht përgjatë rrjedhës së kanalit. 

Ndotja e ujit të pijshëm

Prej më shumë së tre muajve, tubacioni i ujit të pijshëm është çarë në 5 pika, në një gjatësi jo më shumë se 250 metra. Banorët ankohen se pikërisht për këtë arsye uji në çezmat e tyre vjen i ndotur, sidomos në orët e para të mëngjesit.

“Uji vjen në ngjyrë kafe, pasi kur nuk ka ujë tubacioni thith ujërat e zeza dhe të ndotura të kanalit. Në momentin që në të kalon ujë i pijshëm, në rubinet vjen i ndotur. Të gjithë jemi të sëmurë me djegje në fyt. Të rritur dhe fëmijë”, shpjegon një banor.

Mosreagimi i institucioneve shtetërore

Pushteti vendor, dikur Bashkia Sukth, sot njësi administrative e Durrësit, e ka neglizhuar për më shumë se 7 vjet ankesën e banorëve duke mos i dhënë zgjidhje këtij problemi. Sipas banorëve, kjo ishte edhe arsyeje përse iu drejtuan emisionit “Fiks Fare”. Ata thonë se kanë vite që përplasen dyerve të institucioneve, por nuk kanë marrë kurrë një përgjigje konkrete, edhe pse kjo çështje është diskutuar disa herë edhe në Këshillin Bashkiak.

“Fiks Fare” intervistoi përgjegjësen e Zyrës së Tokave pranë njësisë administartive Sukth. Ajo pranoi se banorët kanë vite që ankohen  dhe kanë shumë të drejtë. “Rrjeti i kanaleve kulluese në atë zonë ka 40 vite që është ndërtuar dhe ka më shumë se 25 vite që nuk ndërhyet as për zgjerimin dhe as për thellimin e tij. Nuk është bërë pasi nuk ka patur fonde. Megjithatë, situata paraqitet emergjente dhe kërkon ndërhyrje”, ka thënë zyrtarja.

Sipas saj, përsa i takon ndotjes që vjen nga fabrikat, vetë pronarët e tyre në vitin 2013 çelën një fond prej rreth 300 mijë lekësh. “U blenë tubacione për sistemimin e këtyre kanaleve. Ky sistemim do të bëhej me punëtorët dhe mjetet e bashkisë. Por për arsye emergjente në atë kohë, kryetari i Bashkisë Sukth vendosi që këto tuba t’i vendosë në Hamallaj, ku situata paraqitej më emergjente. Që prej asaj kohe nuk u investua më për banorët e Sukthit. Edhe sot firma është e gatshme të blejë tubacione të tjera për ta sistemuar kanalin, por kërkon edhe bashkëpunimin e njësisë administrative”, shtoi përgjegjësja.

Ndërhryja e Inspektoriatit të Mjedisit, Durrës

Ndodhur përpara një situate të tillë, “Fiks Fare” kontaktoi me  Inspektoriatin Mjedisor Durrës. Menjëherë nga ana e tyre u ngrit një grup inspektimi që bashkë me kameran e “Fiks Fare” mbikëqyri zonën dhe vendin ku shkarkoheshin këto mbetje te lëngshme. Sipas inspektorit Ilir Nishani, jo vetëm me sy të lirë arrije të shihje që ka ndotje, por mund të ndjeje edhe erën e rendë që vjen nga këto fabrika. Ai iu shpreh se pasi u njohën me këtë situatë nga gazetarët e “Fiskit”, tani po e shohin gjëndjen në terren dhe do të bëjnë gjithashtu një inspektim të hollësishëm në ambjentet e brendshme të këtyre fabrikave dhe të dokumentacioneve që disponojnë.

Pasi inspektimit u konstatua se ndotja mund të vinte nga fabrika e përpunimit të gomave. Megjithatë, sipas inspektorëve, në bazë të analizave që vetë firma kishte paraqitur të ujit të shkarkuar, niveli i ndotjes rezultonte brenda normave. Për të bërë ballafaqimin e situatës me analizat e vetë subjektit, Inspektoriati Durrës me një shkresë i është drejtuar Agjencisë Kombëtarë të Mjedisit dhe ISHP-së, për të kryer edhe analiza të tjera.

Gjithashtu, nga kontrolli u konstatua se leja mjedisore, kushtet e të cilës kishin ndryshuar në qershor të vitit 2016, nuk ishin marrë parasysh nga firma. Ata duhet menjëherë të rinovojnë lejen mejdisore në bazë të kushteve të reja të vendosura nga vendimi i Këshillit të Ministrave rreth gjashtë muaj më parë.
 
Zgjidhja e problemit të ndotjes së ujit të pijshëm

Një ditë pasi grupi i xhirimit të “Fiks Fare” ishte në zonë për të marrë ankesat e banorëve dhe për të xhiruar problematikat që ata ngritën, njësia administartive Sukth të nesërmen mori masa për të ndërhyrë menjëherë në sistemimin e rrjetit të ujit të pijshëm.

Të nësërmen “Fiks Fare” konstatoi se grupet e punës ishin në terren dhe se problemi i ujit të pijshem do të zgjidhej brenda të njëjtës ditë. Sipas banoërve, kjo zgjidhje kaq e shpejtë erdhi si pasojë e prezencës së “Fiksit”. “Falenderojmë shumë emsionin “Fiks Fare”. Pushteti i katërt e bëri punën e vetë. Fill pasi ikët ju nga njësia administrative u morën masa dhe po punohet për mbylljen e pesë pikave të çara të tubit të ujit të pijshëm”, u shprehë njëri prej tyre.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel