PD: Rama pengon hetimin për CEZ. Frikë për t’u përballur me faktet

20/12/2016 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se ka bojkotuar këtë të martë komisionin hetimor parlamentar për marrëveshjen e qeverisë së tij me CEZ, që i kushtoi vendit 470 milionë euro.

Sipas PD, Rama po shfrytëzon të gjithë pushtetin që ka në dorë për të bllokuar hetimin dhe transparencën mbi “vjedhjen e shekullit”.

“Dje, deputetët e urdhëruar prej tij dhe ministri Gjiknuri prishën seancën duke penguar dhënien e dëshmisë. Sot, në orën 17.00 ishte parashikuar seanca e radhës, por asnjë deputet i Ramës nuk u paraqit dhe as ministri Gjiknuri që duhej të jepte dëshminë”, thuhet në një deklaratë.

Për opozitën, Rama jo vetëm po tregon se nuk mund të përballet me faktet që tregojnë përfshirjen e tij në këtë aferë, por po shkel haptaz ligjin për hetimin parlamentar, një e drejtë kushtetuese e konfirmuar edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo tregon frikën e Ramës nga e vërteta mbi vjedhjen e shekullit që do zbardhet me çdo kusht. Përgjegjësit për vjedhjen e 470 milionë Eurove nuk do të shmanging dot ditën e tyre para drejtësisë së pavarur dhe të pakapur”, përfundon deklarata.

Top Channel