Kanceri i prostatës, transformim total nën trajtimin me lazera

20/12/2016 00:00

Kirurgët e kanë përshkruar trajtimin e ri për fazat e hershme të kancerit të prostatës si “tejet transformues”. Trajtimi, i testuar anembanë Europës, ka përdorur lazerat dhe një përzierje barnash me përmbajtje bakteresh nga thellësia e deteve për të eliminuar tumoret, por pa shkaktuar efekte të rënda anësore.

Testimet ndaj 413 personave, të publikuara në “The Lancet Oncology”, tregojnë se afro gjysma e tyre nuk kanë pasur më gjurmë tumori në testikuj. Impotenca afatgjatë dhe mungesa e vetëpërmbajtjes janë shpesh pasoja të trajtimit ndaj kancerit të prostatës me operacione apo radioterapi. Thuajse 9 në 10 pacientë përballen me probleme të organeve gjenitale, ndërsa 2 në 10 kanë probleme me fshikëzën e urinës.

Kjo është edhe arsyeja, përse meshkujt që pikasin tumorin në fazat e hershme zgjedhin “të presin e të shohin”, ndërkohë që marrin kurime vetëm kur tumori avancon në stade të mëtejshme agresive.

“Ky zhvillim ndryshon gjithçka”, tha profesor Mark Emberton, i cili testoi teknikën në fjalë në Kolegjin universitar të Londrës.

Trajtimi i ri shfrytëzon një drogë të prodhuar nga bakteret që jetojnë thuajse në errësirë të plotë në bazamentin e deteve, e që kthehen në substanca toksike kur ekspozohen ndaj dritës. Lazerat optikë futen më pas përmes perineumit, apo hapësirës mes anusit dhe testikujve, drejt gjendrave kanceroze të prostatës. Kur lazeri i kuq ndizet, ai aktivizon drogën në fjalë për të vrarë qelizat kanceroze dhe ajo që mbetet është prostata e shëndetshme.

Testimi i kryer në 47 spitale europiane tregoi se 49 për qind e pacientëve u shëruan plotësisht. Ndërkohë, pas këtij testimi, vetëm 6 për qind e pacientëve është dashur të kryejnë operacion për heqjen e prostatës, krahasuar me 30 për qind të pacientëve që e bëjnë diçka të tillë përpara se të përdorej kjo terapi e re. E ç’është më e rëndësishme, ndikimi në aktivitetin seksual dhe urinim zgjati jo më shumë se 3 muaj. Nga ata që i janë nënshtruar kësaj terapie, asnjë mashkull nuk ka pasur efekte anësore pas dy vitesh.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel