Nis pyllëzimi i Liqenit të Farkës, mbillen 450 pemët e para

20/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka mbjellë 450 pemët e para në liqenin e Farkës, synimi i të cilës është të bëhet një park i dytë pas atij të Liqenit Artificial.

Kreu i bashkisë Erjon Veliaj tha se mbjellja e pemëve në këtë park do të rrisë cilësinë e ajrit në radhë të parë, por edhe do ti japë liqenit një dimension të ri. Krahas pedonales që do të rrethojë parkun, tashmë ka nisur aksioni për pyllëzimin e plotë të hapësirave rreth liqenit.

“Së pari, shtojmë gjelbërimin, i cili plotëson një investim të pedonales së Farkës. Pedonalja ka të njëjtat kushte në shërbim dhe pastërti, si te Liqeni i Tiranës, ndaj për banorët e Njësisë 1 dhe 2 vlen një ftesë që ata të shëtisin, së bashku me fëmijët, në Liqenin e Farkës, si një mundësi për të kaluar kohën e lirë apo për t’u marrë me sport e aktivitete të tjera. Kësisoj dyfishojmë hapësirat e argëtimit në kryeqytet, duke qenë se Tirana e sotme me 1 milion banorë ka një dyndje të jashtëzakonshme në Liqenin Artificial, edhe falë investimeve dhe punës që kemi bërë aty. Ndaj, ka lindur nevoja që t’i shtojmë hapësirat dhe besoj se Liqeni i Farkës, do të jetë hapësira e dytë më e rëndësishme për sport, për shëtitje dhe ajër të pastër”, tha Veliaj.

Ai theksoi se mbjellja e pemëve në këtë zonë i shërben objektivit madhor që Bashkia e Tiranës i ka vënë vetes për të krijuar atë që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si “Pylli Orbital”.

“Nuk besoj se ka dhuratë më të mirë për festat e fundvitit për qytetin e Tiranës, se sa ajri i pastër, gjelbërimi dhe hapësira të lira publike. Fillojmë sot në Farkë operacionin më të madh të gjelbërimit të qytetit, ajo që më vonë do të quhet si ‘Pylli Orbital’. Kemi ambicien që në 15 vitet e ardhshme të mbjellim 2 milionë pemë. Sot fillojmë me mbjelljen e 450 pemëve të para në liqenin e Farkës”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku i Tiranës njoftoi nismën për t’i krijuar mundësinë çdo qytetari që të kontribuojë në krijimin e Pyllit Orbital, duke mbjellë secili pemën e vet në hapësirat që do të përcaktohen nga bashkia.

Top Channel