Rama akuzon gjykatësit: Në 25 vjet i shkaktuan dëm të madh pronave

19/12/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama akuzoi gjykatat për dëmin e madh që sipas tij i kanë shkaktuar pronave në 25 vjet.

“Atë që i kanë bërë pronës gjykatat e këtij vendi nuk ia ka bërë në shekuj asnjë pushtues”, tha Rama. Kjo është arsyeja, tha ai, pse reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje një herë e mirë kësaj situate.

“Jemi dëshmitarë që reforma në drejtësi perceptohet si një instrument për të goditur zyrtarët e lartë që përzihen në kanalet e korrupsionit. Nëse kjo reformë i duhet dëshpërimisht këtij vendi, A-ja është për t’i dhënë fund përmes një drejtësie padrejtësisë së kthyer në sistem për të drejtën e pronës”, theksoi Rama.

Reforma që ne morëm përsipër, shtoi kryeministri, është më e vështira dhe më kompleksja, e cila ndonëse në pamje të parë nuk i jep mjaftueshëm zgjidhje të drejtë situatës, i jep zgjidhje përfundimtare asaj pasi më në fund ky ligj jep afat për kthimin dhe kompensimin e pronës.

“Më në fund do kemi një kohë në afat sa do zgjasë ky proces”, tha Rama. Ligji i ri, përfundoi kreu i qeverisë, trajton të drejtën e të gjitha kategorive të pronës dhe shërben si një fakt se me vullnet të mirë dhe vendosmëri është bërë ajo që nuk u bë në 20 e kusur vite.

Top Channel