Bylykbashi: Heqja e votës për të dënuarit, Kushtetuese

15/12/2016 00:00

Partia Demokratike e ka mbështetur fort heqjen e së drejtës për të votuar të një kategorie të dënuarish. Deputeti Oerd Bylykbashi, i cili punoi gjatë në lidhje me ligjin e dekriminalizimit e mbrojti atë dhe tha se shembuj të ngjashëm ka plot në Europë.

Duke folur në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, deputeti demokrat thotë se një masë e ngjashme është mbështetur edhe nga vetë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

“Një raport dërguar për dekriminalizimin na dha një seri rastësh kur personave të dënuar për krime të rënda u është hequr e drejta e votës. Kjo ka ndodhur shumë shpesh në Europë. Kjo është një praktikë europiane që na ka dhënë mundësinë që bazuar mbi vendime e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të ndërhynim me një platformë publike dhe të përfshinim këtë”, deklaroi Bylykbashi.

Ai thotë se ky kushtëzim është parashikuar edhe në Kushtetutë, pas ndryshimit të saj.

“Nuk ka asgjë për t’u cuditur këtu. Për t’u çuditur është se përse sot njerëzit bëjnë ekspertin dhe thonë diçka para se të shohin Kushtetutën. Neni 45 pika 3 e Kushtetutës së ndryshuar para një viti është shumë e qartë për këtë”, thotë ai.

Top Channel