Cigaret elektronike, të rinjtë më të rrezikuar nga nikotina

09/12/2016 00:00

Raporti i autoriteteve më të larta mjekësore në Shtetet e Bashkuara mbi dëmin e shkaktuar nga cigaret elektronike tregon se përdoruesit e tyre të moshave të reja  janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të nikotinës sesa të rriturit.

“E  dimë mirë sesi funksionon parandalimi i duhanpirjes tek këto mosha. Tani të njëjtat strategji duhet t’i aplikojmë edhe tek cigaret elektronike. Rekomandimi është që ato të bëhen pjesë e politikave antiduhan, në mënyrë që të rinjve t’u ndalohet qasja tek cigaret e konsideruara deri vonë  si më pak të dëmshme.

Sipas dokumentit të zyrtarëve të shëndetësisë, nuk ka prova të cilat të tregojnë se cigaret elektronike i ndihmojnë vërtet njerëzit për të lënë duhanin. Nevojiten studime më të thelluara për të zbardhur natyrën e vërtetë të efektit të cigareve që përpos nikotinës, ujit e glicerinës kanë edhe përbërës të tjerë për të cilët nuk flitet gjerësisht e që autoritetet amerikane kanë vendosur t’i hetojnë.

Pajisja e cila imition me përpikmëri cigaret tradicionale, por me diferencën e madhe që nuk përmban duhan, konsiderohej si më pak e dëmshme për shkak të mungesës së mbetjeve të katranit. Megjithatë, shumë prej prodhuesve të saj nuk e deklarojnë haptazi se çfarë përbërësish kimikë janë përdorur saktësisht në cigaren elektronike.

Top Channel