Lushnje, në pritje të vaksinës për dermatozën, lopët po ngordhin

30/11/2016 00:00

Në fshatin Rrapëz të Lushnjës, banorët ende nuk i kanë marrë vaksinat e premtuara prej 10 ditësh nga Ministria e Bujqësisë.

Lopët vazhdojnë të ngordhin nga dermatoza nodulare dhe fermerët thonë se mishi i disa prej tyre është shitur për sallam.

“E morën lopën e ngordhur e çuan në Tiranë. E tërhoqën zvarrë 20 burra. S’di unë, mish, sallam.  Lopa e ngordhur u hëngër”, thotë një prej banoreve.

“As me para s’po ma japin vaksinën. Të më ngordhë lopa mua për 100 mijë lekë!”, shprehet një tjetër.

“Edhe të ma sjellin nuk kam më para unë. Bleva vaksinë që ishte 5 mijë lekë, e bleva 35 mijë lekë”.

Fermerët i sigurojnë vetë antibiotikët për  mjekimin  e lopëve të sëmura dhe presin e përcjellin zyrtarë të drejtorisë së bujqësisë me premtime që siç thonë banorët e fshatit, nuk realizohen kurrë.

Megjithatë, fermerët që jetesën e sigurojnë vetëm me blegtori vazhdojnë të kërkojnë ndihmë, me shpresën se do të bëhet diçka për lopët e paprekura ende nga dermatoza nodulare në fshatin Rrapëz.

Top Channel