Mursi, fshati pa mjekë. Banorët vizitohen në Sarandë dhe Greqi

30/11/2016 12:10

Mursia është fshati më i madh i bashkisë së re të Konispolit, në skajin jugor të vendit. Zona që dikur kishte një spital me 15 shtretër, sot ka një qendër shëndetësore të mbyllur, ku mjeku nuk paraqitet prej vitesh.

Anila dhe familja e saj nga Lushnja janë zhvendosur në këtë zonë vite më parë për të punuar në plantacionet me mandarina. Ajo pret të bëhet nënë për herë të dytë, ndërsa thotë se edhe për ekzaminime rutinë i duhet të udhëtojë në Sarandë.

“Nuk ka asnjë infermiere që të të masë tensionin. Nuk ka asgjë”, shprehet Anila.

2500 banorë jetojnë në këtë zonë. Shumë prej tyre thonë se është më lehtë të marrësh shërbime shëndetësore në Greqi.

Andrea Mano, nënkryetar i Këshillit Bashkiak që jeton në Mursi tregon se në shumë raste aksidentesh ka munguar ndihma e shpejtë: “Ne e kërkojmë mjekun, por i sëmuri nuk pret dot.

Sipas banorëve, nëse nuk do të kishin në fshat një mjek pensionist që ndihmon vullnetarisht, do të kishin humbur shumë jetë njërëzish. Në Mursi janë regjistruar periudha të gjata të epidemisë së gripit kur ka munguar shërbimi shëndetësor, ndërsa pothuajse të gjitha rastet e aksidenteve në punë i janë drejtuar spitaleve greke.

Top Channel