Ekspertiza gjermane; 12 mijë ekspertë gati të vijnë në Shqipëri

22/11/2016 00:00

12 mijë ekspertë gjermanë në pension janë të gatshëm të japin ekspertizë në mënyrë vullnetare për kompani private dhe shtetërore edhe në Shqipëri.

Ata janë të profilizuar në fusha si tregtia dhe shitjet, teknologjia dhe artizanati, arsimi, shëndetësia dhe punët sociale deri tek shkenca dhe administrimi.

“Në qoftë se një kompani do të fusë në treg një produkt të ri, të përmirësojë produktet që ka, nëse dëshiron të ketë një strategji marketingu apo të rrisë shitjet në treg, pra ka pikëpyetje të ndryshme në të cilat eksperti mund të japë eksperiencën e tij në kompaninë shqiptare”, u shpreh Anja Wesely, Koordinatore për Rajonin, SES.

A ndihmohen kompanitë të gjejnë tregje të reja, në Gjermani për shembull?
“Në momentin që kompania krijon kontaktin me ekspertin, mund të shkojë në Gjermani, mund të shfrytëzojë ato kontakte që eksperti ka atje me kompani të ndryshme për të zhvilluar sëbashku takime biznesi”, shton Wesely.

Për të kërkuar ekspertizën gjermane, kompania duhet të drejtohet në zyrën e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Tiranë.

“Është e rëndësishme të thuhet në formularin që plotëson pse kërkohet eksperti dhe cilat janë detyrat që do marrë përsipër për kohën që do jetë këtu në mënyrë që të bëjmë zgjedhjen e ekspertit të duhur. Sa u përket kostove, ato lokale ku përfshihet qëndrimi, vaktet, pagesa e përkthyesit dhe dieta ditore 5 euro i paguan kompania. Nëse kompania nuk mund të paguajë sigurimin, fluturimin dhe kostot e përpunimit të projektit në Gjemani këtë e merr përsipër granti që SES merr nga ministria për bashkëpunim dhe zhvillim gjermane”, tregon Anja Wesely.

Madhësia e kompanisë vlerësohet nga numri i punonjësve dhe xhiroja vjetore.

Top Channel