Kokainë në aksin Durrës-Ankona; 5 të arrestuar

22/11/2016 00:00

Porti i Ankonës ka qenë në qendër të një trafiku kokaine me prejardhje nga Shqipëria. Një kanal i rëndësishëm i furnizimit me drogë, me vlerë 70 mijë euro në muaj, është neutralizuar nga karabinierët.

Ushtarakët e vendit fqinj kanë arrestuar 5 persona dhe kanë sekuestruar 500 gramë kokainë të pastër në formë kristalesh, që do të shpërndahej në tregjet e lokaliteteve Val Muzone dhe Jezi.

Hetimet për këtë xhiro trafiku kishin nisur nga karabinierët e qytezës së Ozimos pranëverën e kaluar, raportojnë mediat italiane online.

Kanë qenë rreth 30 ushtarakë që kanë bllokuar rrugët e lokaliteteve të sipërpërmendura dhe kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit shqiptar Edmond Hidri, drejtues i bandës, maqedonasit Fatmir Dauti dhe italianëve Mirko Massaccesi e Antonella Tittarelli.

Ndërkohë, një tjetër shqiptar, Kleo Shuturiqi, rezident në Rekanati, është ndaluar nga policia gjyqësore.

Aksioni i karabinierëve u ekzekutua pasi u konstatua se Hidri depozitoi sasinë prej 500 gramësh në një ndalesë gjatë rrugës dhe tre të tjerët shkuan ta rekuperonin.

Top Channel